Deklaratë e Zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj për ekspertët kontabël të licensuar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes kësaj deklarate publike fton ekspertët kontabël të licensuar që të shprehin interesin e tyre pranë KQZ-së, për auditimin e fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike gjatë vitit kalendarik 2017, në mbështetje të nenit 23/2, pika 2 të ligjit nr. 8580, ‘Për Partitë Politike”.
Ekspertët  kontabël të regjistruar pranë Instituti i Eksperteve Kontabel të Autorizuar (IEKA), përveç kushteve të përgjithshme të ushtrimit të profesionit duhet të plotësojnë edhe këto kritere:
– Të ushtrojnë profesionin e ekspertit kontabël të licensuar në 5 vitet e fundit.
– Të mos kenë marrë masa disiplinore: vërejtje me shënim në dosje ose pezullim të përkohshëm gjatë ushtrimit të profesionit të ekspertit kontabël.
– Të mos ketë qenë i zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit.
– Të mos ketë qenë kandidat i mbështetur nga ndonjë parti politike apo koalicion në zgjedhjet pararendëse.
– Të mos ketë marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me kryetarët dhe drejtuesit e tjerë më të lartë të partive politike, të cilat do të jenë objekt i auditimit.
Pas shfaqjes së interesit nga ekspertët kontabël pranë KQZ-së, përmes një shorti transparent që do të hidhet nga KQZ, do të përcaktohen edhe ekspertët që do të bëjnë auditimin e fondeve të përftuara dhe shpenzuara gjatë vitit kalendarik 2017 nga partitë politike.
Auditët e interesuar të dorëzojnë pranë KQZ-së brenda datës 08.04.2018, këtë dokumentacion:
1- Kërkesë aplikimi;
2- Deklaratë e nënshkruar nga kandidati  lidhur me kriteret e përzgjedhjes të sipërcituara.
Njëkohësisht, ju bëjmë thirrje të gjitha partive politike që aktualisht nuk kanë dorëzuar pranë KQZ-së raportet financiare vjetore për vitin 2017, t’i dorëzojnë ato menjëherë.
Nga 128 parti politike të regjistruara në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, deri tani e kanë dorëzuar raportin vetëm 18 parti politike (raporte te cilat janë publikuar në faqen zyrtare të internetit http://www.new.cec.org.al/sq-al/Publikimet/Raporte-Financiare/Raportet-vjetore-financiare-t%C3%AB-partive-politike/Raportet-vjetore-financiare-p%C3%ABr-vitin-2017).
Komisioni Qendror i Zgjedhjve është i vendosur të respektojë ligjin, ndaj ju kujtojmë se afati për dorëzimin e raporteve financiare është data 31 mars 2018 dhe shkelja e afatit të dorëzimit të raportit financiar në kohën e duhur apo paraqitja e tyre në shkelje të formateve të standardizuara, të miratuara nga KQZ, në zbatim të nenit 23/4 të ligjit “Për partitë politike”, dënohet me gjobë nga 50.000-100.000 lekë.

Faleminderit!